Sutra e Sigalakës

Sigalaka Sutta

Rrjeti i marrëdhënieve njerëzore është tema e një teksti Budist të njohur si Sigalaka Sutta, i cili gjendet në Digha Nikaja, “Koleksioni i Fjalimeve të gjata”, në Kanunin Pali. Është një tekst relativisht i hershëm, thelbi i të cilit, me plot bindje, shkon deri tek vetë Buda. Quhet Sigalaka Sutta sepse është një fjalim i dhënë nga Buda për një të ri të quajtur Sigalaka. Një përkthyes e përshkruan sutta-n si “Këshilla për njerëzit laikë”. Aty Buda parashtron një model për lloje të ndryshme marrëdhëniesh, duke shpjeguar se si duhet të zhvillohet secila. E gjithë kjo është paraqitur me aq qartësi dhe përmbledhje, saqë mbart mjaft interes edhe sot.

Sigalaka është një brahmin i ri, që do të thotë se ai i përket kastës priftërore, kastës më të lartë dhe më me ndikim në shoqërinë indiane. Hyrja e sutta-s raporton se Buda takohet me Sigalakën herët një mëngjes. Rrobat dhe flokët e Sigalakës ende pikojnë nga rituali pastrues i banjës së tij. (Kjo është diçka që mund ta shihni ende sot – brahminë që qëndrojnë në lumin e shenjtë Ganxhis në Varanasi, duke u zhytur në ujë dhe duke recituar mantra). Pasi ka bërë banjën e tij, Sigalaka është i angazhuar në adhurimin e gjashtë drejtimeve: veri, jug, lindje, perëndim, zenit dhe nadir.

Ai e bën këtë – kështu po i rrëfen ai Budës – në zbatim të amanetit të babait, që të mbrohet nga çdo dëm që mund të vijë nga cilido nga gjashtë drejtimet. Më pas Buda i thotë Sigalakës që edhe pse adhurimi i gjashtë drejtimeve është i drejtë dhe i duhur, ai nuk po e bën atë siç duhet, nëse do që adhurimi i tillë ta mbrojë në mënyrë efikase. Më pas ai vazhdon të shpjegojë se çfarë përfaqësojnë në të vërtetë gjashtë drejtimet.

Lindja, thotë ai, do të thotë nënë dhe baba (në gjuhët indiane nëna vjen para babait) sepse e ka origjinën nga lindja. Pra, marrëdhënia e parë që i referohet Buda është ajo midis prindit dhe fëmijës. Sa i përket drejtimeve të tjera, ato i referohen marrëdhënieve të tjera kyçe në jetë: jugu, raportit mes nxënësit dhe mësuesit; perëndimi atij mes burrit dhe gruas; veriu miqve dhe shokëve; nadiri marrëdhënies midis “zotit dhe shërbëtorit” (në terma moderne, punëdhënësit dhe punonjësit); dhe zeniti marrëdhënieve ndërmjet laikëve dhe “asketëve e brahminëve”.

Adhurimi i vërtetë i gjashtë drejtimeve, shpjegon Buda, konsiston në kryerjen e detyrave të gjthkujt në lidhje me këto marrëdhënie. Një veprim i tillë etik është natyrshëm produktiv për lumturinë dhe në këtë kuptim njeriu mbron veten nëpërmjet këtij lloj “adhurimi”. Këtu Buda e vendos individin në qendër të një rrjeti marrëdhëniesh, nga të cilat ai numëron vetëm gjashtë. Buda duket se u jep një theks të njejtë këtyre gjashtë marrëdhënieve kryesore, të cilat përfaqësojnë në masë të gjerë ndërveprimin njerëzor, dhe në këtë aspekt ai është përfaqësues i kulturës së tij, atë të Indisë verilindore në shekullin e gjashtë para erës sonë.

—Sangharakshita

————————-

Sigalaka Sutta – Këshilla për njerëzit laikë

Kështu kam degjuar.

Buda tha këtë:

O djalosh, duke braktisur katër veprimet e papastra, një dishepull fisnik përmbahet nga veprat e dëmshme që burojnë nga katër shkaqe dhe shmang gjashtë mënyrat e shpërdorimit të pasurisë. Kështu, këto katërmbëdhjetë gjëra të dëmshme hiqen. Dishepulli fisnik, tani me gjashtë drejtimet e mbrojtura, ka hyrë në një rrugë për të pushtuar të dy botët, i qëndrueshëm si në këtë botë ashtu edhe në tjetrën. Me shpërbërjen e trupit pas vdekjes, ndodh një rilindje e mirë në një gjëndje parajse.

Cilat janë katër veprimet e papastra që braktisen?

  1. Dëmtimi i qenieve të gjalla është një veprim i papastër
  2. Marrja e asaj që nuk është dhënë është një veprim i papastër
  3. Sjellja e gabuar seksuale është një veprim i papastër
  4. Fjala e rreme është një veprim i papastër.
Këto katër braktisen.

Kjo është ajo që tha Buda.
Duke përmbledhur në vargje, mësuesi madhështor tha:
"Dëmtimin e qenieve të gjalla, marrjen e asaj që nuk të është dhënë,
Fjalën e rremë dhe ndjekjen e të dashurës së të dikujt tjetër:
Këto, të mençurit me siguri nuk i lavdërojnë."

Cilat janë katër shkaqet e veprave të dëmshme? Duke devijuar për shkak të:

  1. Dëshirës
  2. Urrejtjes
  3. Iluzionit ose
  4. Frikës

…dishepulli fisnik kryen vepra të dëmshme. Por, o djalosh, duke mos devijuar për shkak të dëshirës, urrejtjes, iluzionit apo frikës, dishepulli fisnik nuk kryen vepra të dëmshme.

Kjo është ajo që tha Buda.
Duke përmbledhur në vargje, mësuesi madhështor tha:

"Lakmia dhe urrejtja, frika dhe padituria:
Kush thyen ligjin shpirtëror me to,
Humb tërësisht nderin e tij
Porsi hëna gjatë rënies së saj.

Lakmia dhe urrejtja, frika dhe padituria:
Kujtdo që këtyre kurrë s'u dorëzohet 
I rritet nderi dhe mirësia
Porsi hëna gjatë shkëlqimit të saj."

Dhe cilat janë gjashtë mënyrat e shpërdorimit të pasurisë që duhen shmangur? O djalosh:

  1. Pakujdesia e shkaktuar nga dehja
  2. Bredhja nëpër rrugë në kohë të papërshtatshme
  3. Festimet e shpeshta
  4. Varësia nga bixhozi
  5. Shoqëria e keqe dhe
  6. Dembelizmi

…janë gjashtë mënyrat e shpërdorimit të pasurisë.

Këto janë gjashtë rreziqet që qëndrojnë në pakujdesinë e shkaktuar nga dehja:

  1. Humbja e menjëhershme e pasurisë
  2. Shtimi i grindjeve
  3. Prirja ndaj sëmundjeve
  4. Humbja e reputacionit
  5. Sjellja e pahijshme në publik
  6. Dobësimi i gjykimit.

Këto janë gjashtë rreziqet që qëndrojnë në bredhjen nëpër rrugë në kohë të papërshtatshme:

  1. Vetja
  2. Familja dhe
  3. Pasuria mbeten të pambrojtura
  4. Lind dyshimi për krime
  5. Përhapen thashetheme
  6. Dhe përballesh me shumë vuajtje.

Këto janë gjashtë rreziqet që qëndrojnë në festimet e shpeshta: Vazhdimisht kërkon

  1. Ku është vallëzimi?
  2. Ku është kënga?
  3. Ku është muzika?
  4. Ku janë tregimet?
  5. Ku është duartrokitja?
  6. Ku është daullja?’

Këto janë gjashtë rreziqet që qëndrojnë në varësinë nga bixhozi:

  1. Fitimi sjell armiqësi
  2. Humbësi vajton pasurinë e humbur
  3. Kursimet zhduken
  4. Fjala e njeriut nuk ka peshë në publik
  5. Miqtë dhe bashkëpunëtorët e përçmojnë
  6. Nuk kërkohet për martesë, sepse një bixhozxhi nuk mund të mbajë siç duhet një familje.

Këto janë gjashtë rreziqet që qëndrojnë në shoqërinë e keqe:

Çdo

  1. Mashtrues
  2. Pijanec,
  3. Njeri me varësi
  4. Hileqar,
  5. Rrjepës apo
  6. Rrugaç

…bëhet mik dhe shok.

Këto janë gjashtë rreziqet që qëndrojnë në dembelizëm:

  1. Duke thënë, ‘Është shumë ftohtë,’ nuk punon;
  2. Duke thënë, ‘Është shumë nxehtë,’ nuk punon;
  3. Duke thënë, ‘Është shumë vonë,’ nuk punon;
  4. Duke thënë, ‘Është shumë herët,’ nuk punon;
  5. Duke thënë, ‘Jam shumë i uritur,’ nuk punon;
  6. Duke thënë, ‘Jam shumë i ngopur,’ nuk punon.

Me një bollëk justifikimesh për të mos punuar, pasuri e re nuk krijohet dhe ajo që ekziston shpërdorohet.

Kjo është ajo që tha Buda.
Duke përmbledhur në vargje, mësuesi madhështor tha:

"Disa janë miq për pije, dhe disa
E pretendojnë miqësinë përpara teje,
Por ata që janë miq në nevojë,
Vetëm ata janë miq të vërtetë.

Fjetja vonë nga ahengu, tradhëtia në çift,
Dëshira për t'u grindur, keqbërja,
Miqtë e këqinj dhe koprracia,
Këto të gjashta e shkatërrojnë njeriun.

Ai që del me miq mistrecë
Dhe e kalon kohën duke bërë keq,
Në këtë botë si dhe në tjetrën
Ka për të vuajtur mjerim.

Kumari, kurvërimi, si dhe dehja,
Vallëzimi a këndimi i ahengut, gjumi i ditës si rrjedhojë,
Vërdallisja orar pa orar, miqtë e këqinj
Dhe koprracia, e shkatërrojë njeriun.

Kush luan kumar dhe rrëkëllen deri në dehje
Dhe shkon me gratë e dashura të të tjerëve.
Merr më të ultën, rrugën imorale,
Dhe zhduket gradualisht si hëna gjatë zbehjes.

Pijaneci, i thyer dhe varfanjak,
Aq më i etur sa më shumë pi,
Si guri në ujë zhytet në borxhe,
Shpejt i braktisur nga të afërmit e tij.

Kush kalon ditën në gjumë,
Dhe bën natën kohën e zgjimit,
Gjithnjë i dehur dhe epshor,
Nuk mban dot shtëpi të mirë.

"Shumë ftohtë! Shumë nxehtë! Shumë vonë!"- lëngojnë,
Duke i zvarritur punët mënjanë,
Derisa çdo mundësi që kanë pasur
Për të bërë mirë është venitur.

Por kush e sheh të ftohtin a të ngrohtin
Krejt të pa vlerë; dhe si burrë
Bën detyrën që ka në dorë,
Gëzimi i tij nuk do të shuhet kurrë.
"

O bir i të zotit të shtëpisë, janë këta katër lloje që janë qartazi armiq, por që hiqen si miq: ai që vetëm merr është një, llafazani një tjetër, lajkaxhiu, dhe dorëshpuari po ashtu. 

  • Kushdo që vetëm merr është një mik i rremë për katër arsye: merr gjithçka, do shumë për hiçgjë, çfarë bën e bën nga frika, dhe kërkon fitimin e vetë. 
  • Llafazani është një mik i rremë për katër arsye: flet për nderet e së kaluarës, e për të ardhmen, të dend me fjalë premtimesh boshe, dhe kur diçka duhet bërë në të tashmen, thotë që smundet për shkak të ndonjë katastrofe. 
  • Lajkaxhiu është një mik i rremë për katër arsye: pranon bëmat e këqija, kundërshton ato të mirat, të mburr ty në fytyrë, dhe të poshtëron prapa krahëve. 
  • Dorëshpuari është një mik i rremë për katër arsye: të shoqëron për t’u dehur, kur vardisesh rrugëve orëve të vona, kur shkon nëpër festa, dhe kur luan kumar.

Kjo është ajo që tha Buda.
Duke përmbledhur në vargje, mësuesi madhështor tha:

"Kush kërkon vetëm të marrë,
Kush flet veçse fjalë boshe,
Kush të mbush veçse me lajka,
Kush të bëhet palë dorëshpuar:

Këta katër në të vërtetë janë armiq e jo miq.
Një i mënçur, e kupton këtë,
E mban veten fort larg tyre
Siç do bënte ndaj ndonjë shtegu tmerrues.
"

Ka katër lloj (shokësh) që mund të shihet që janë miq besnikë: miku që është ndihmues është nji, miku që është i njëjtë në kohë të lumtura e të palumtura është nji, miku që të tregon çfarë është mirë për ty është nji, dhe miku dashamirës është nji.

  • Miku ndihmues mund të shihet të jetë një mik besnik në katër mënyra: ai (ajo) kujdeset për ty kur ti je i pavëmëndshëm, ai kujdeset për gjërat e tua kur ti je i pavëmëndshëm, ai është strehë (emocionale, të del për zot) kur ti ke frikë, dhe kur bëni biznes bashkë ai të jep dyfishin e asaj që ti ke kërkuar.
  • Miku që është njëlloj në kohë të lumtura e të palumtura mund të shihet të jetë një mik besnik në katër mënyra: ai të tregon sekretet e tij, ai ruan sekretet e tua, ai nuk të lë vetëm në fatkeqësi, ai biles do jepte jeten e tij për ty.
  • Miku që të tregon çfarë është mirë për ty mund të shihet të jetë një mik besnik në katër mënyra: ai të mban që të mos bësh gabime (të pengon ti bësh ato), ai të suporton kur ti bën mirë, ai të informon për gjëra që ti nuk kishe djeni, dhe ai të tregon udhën shpirtërore.
  • Miku dashamirës mund të shihet të jetë një mik besnik në katër mënyra: ai nuk gëzohet me fatkeqësitë e tua, ai gëzohet me fatin tënd të mirë, ai ndalon të tjerët që flasin kundra teje (mbrapa krahëve), dhe ai lavdëron të tjerët që flasin mirë për ty.

Kjo është ajo që tha Buda.
Duke përmbledhur në vargje, mësuesi madhështor tha:

"Miku që është ndihmues dhe
Miku në kohë të mira e të këqija,
Miku që të tregon rrugën e duhur (e drejtë),
Miku që është dashamirës:

Këta katër lloj shokësh i mënçuri
Duhet ti njohi në vlerat e tyre të vërteta, dhe ai (ajo)
Duhet ti ruajë ata me kujdes, ashtu siç
Nëna bën me fëmijën e saj më të dashur. 

Njeriu i mënçur i trajnuar dhe i disiplinuar
Shkëlqen si një zjarr pishtari.
Ai mbledh pasuri ashtu si bleta
Mbledh mjaltë, dhe rritet
Edhe më lartë si një fole milingonash.
Me pasuri të mbledhur kështu shtëpiaku mund
Ta kushtojë atë për të mirën e njerëzve të vetë.

Ai duhet ta ndajë pasurinë e tij në katër pjesë
(kjo ka për të sjellë më shumë avantazh për të).
Një pjesë ai mund ta shijojë sipas dëshirës së tij,
Dy pjesë ai duhet ti fusi në punë (të paguajë jetesën),
Pjesën e katërt ai duhet ta ruajë
Si rezervë për kohë të veshtira.
"

Dhe si, o djalosh, dishepulli fisnik i mbron gjashtë drejtimet? Këto gjashtë drejtime duhen kuptuar kështu: nëna dhe babai si lindja, mësuesit si jugu, bashkëshortja dhe familja si perëndimi, miqtë dhe bashkëpunëtorët si veriu, punëtorët dhe shërbëtorët si drejtimi i poshtëm, dhe asketët e brahmanët si drejtimi i sipërm.

  • Në pesë mënyra duhet që nëna dhe babai, si drejtimi lindor, të respektohen nga fëmija: ‘Do t’i mbështes ata që më kanë mbështetur; do të kryej detyrat ndaj tyre; do të ruaj trashëgiminë dhe traditën familjare; do të jem i denjë për trashëgiminë time; dhe do të bëj dhurime në emër të paraardhësve të vdekur.’
  • Dhe, prindërit e respektuar në këtë mënyrë, e kthejnë me dhembshuri në pesë mënyra: duke të penguar nga e keqja, duke të udhëhequr drejt veprave të mira, duke të trajnuar në një profesion, duke mbështetur zgjedhjen e një bashkëshorti të përshtatshëm dhe, në kohën e duhur, duke të dorëzuar trashëgiminë.

    Në këtë mënyrë, drejtimi lindor mbrohet dhe bëhet i qetë e i sigurt.

    • Në pesë mënyra duhet që mësuesit, si drejtimi jugor, të respektohen nga nxënësi: duke u ngritur në këmbë për ta, duke ndjekur rregullisht mësimet, duke pasur dëshirë të madhe për të mësuar, duke u shërbyer siç duhet dhe duke marrë mësim.
    • Dhe, mësuesit e respektuar në këtë mënyrë, e kthejnë me dhembshuri në pesë mënyra: duke të trajnuar në vetëdisiplinë, duke siguruar që mësimet të kuptohen mirë, duke të udhëzuar në çdo fushë dijesh, duke të prezantuar me miqtë dhe bashkëpunëtorët e tyre dhe duke të siguruar mbrojtje në çdo drejtim.

      Në këtë mënyrë, drejtimi jugor mbrohet dhe bëhet i qetë e i sigurt.

      • Në pesë mënyra duhet që bashkëshortja, si drejtimi perëndimor, të respektohet nga burri: duke e nderuar, duke mos e përçmuar, duke qenë besnik, duke ndarë përgjegjësinë dhe duke i dhënë dhurata.
      • Dhe, bashkëshortja e respektuar në këtë mënyrë, e kthen me dhembshuri në pesë mënyra: duke qenë e rregullt, duke u sjellë me mirësi ndaj të afërmve dhe punëtorëve të shtëpisë, duke qenë besnike, duke u kujdesur për pasurinë e shtëpisë dhe duke qenë e aftë e e zellshme në të gjitha detyrat.

        Në këtë mënyrë, drejtimi perëndimor mbrohet dhe bëhet i qetë e i sigurt.

        • Në pesë mënyra duhet që miqtë dhe bashkëpunëtorët, si drejtimi verior, të respektohen: me bujari, me fjalë të mira, duke vepruar për të mirën e tyre, me paanshmëri dhe me ndershmëri.
        • Dhe, miqtë dhe bashkëpunëtorët e respektuar në këtë mënyrë, e kthejnë me dhembshuri në pesë mënyra: duke të mbrojtur kur je i pambrojtur, po ashtu edhe pasurinë tënde, duke qenë strehë kur ke frikë, duke mos të braktisur në fatkeqësi dhe duke nderuar të gjithë pasardhësit e tu.

          Në këtë mënyrë, drejtimi verior mbrohet dhe bëhet i qetë e i sigurt.

          • Në pesë mënyra duhet që punëtorët dhe shërbëtorët, si drejtimi i poshtëm, të respektohen nga punëdhënësi: duke u caktuar punë sipas aftësive, duke u dhënë pagë dhe ushqim, duke u kujdesur për të sëmurët, duke ndarë shpërblime të veçanta dhe duke u dhënë pushim të arsyeshëm.
          • Dhe, punëtorët dhe shërbëtorët e respektuar në këtë mënyrë, e kthejnë me dhembshuri në pesë mënyra: duke qenë të gatshëm të fillojnë herët dhe të përfundojnë vonë kur është e nevojshme, duke marrë vetëm atë që u jepet, duke e bërë punën mirë dhe duke përhapur një reputacion të mirë.

            Në këtë mënyrë, drejtimi i poshtëm mbrohet dhe bëhet i qetë e i sigurt.

            • Në pesë mënyra duhet që asketët dhe brahmanët, si drejtimi i sipërm, të respektohen: me veprime të mira, fjalë të mira dhe mendime të mira, duke mbajtur derën e hapur dhe duke u siguruar nevojat materiale.
            • Dhe, asketët dhe brahmanët e respektuar në këtë mënyrë, e kthejnë me dhembshuri në gjashtë mënyra: duke të penguar nga e keqja, duke të udhëhequr drejt veprave të mira, duke menduar me dhembshuri për ty, duke të treguar atë që duhet të dish, duke sqaruar atë që tashmë e di dhe duke të treguar udhën drejt gjendjes hyjnore.

              Në këtë mënyrë, drejtimi i sipërm mbrohet dhe bëhet i qetë e i sigurt.

              Kjo është ajo që tha Buda.
              Duke përmbledhur në vargje, mësuesi madhështor tha:

              “Nëna dhe babai si lindja,
              Mësuesit si jugu,
              Bashkëshortja dhe familja si perëndimi,
              Miqtë dhe bashkëpunëtorët si veriu,
              Shërbëtorët dhe punëtorët poshtë,
              Brahmanët dhe asketët sipër;
              Këto drejtime njeriu duhet t’i nderojë
              Që të jetë vërtet i mirë.


              I mençur dhe i virtytshëm,
              I butë dhe gojëtar,
              I përulur dhe i sjellshëm;
              Një i tillë arrin lavdi.


              I zellshëm, jo dembel,
              I palëkundur në fatkeqësi,
              I pastër në sjellje dhe i zgjuar;
              Një i tillë arrin lavdi.


              I dhembshur, që krijon miqësi,
              I afrueshëm, pa koprraci,
              Udhëheqës, mësues dhe diplomat;
              Një i tillë arrin lavdi.


              Bujaria dhe fjalët e mira,
              Sjellja për të mirën e të tjerëve,
              Paanshmëria në çdo gjë;
              Këto janë të përshtatshme kudo.


              Këto prirje të mira e mbajnë botën të bashkuar,
              Si kunja që mban një qerre në lëvizje.
              Dhe po të mos ekzistonin këto prirje,
              Nëna nuk do të merrte
              Respekt apo nder nga fëmija i saj,
              As babai gjithashtu.


              Mbi këto gjëra
              Reflektojnë të mençurit;
              Ata arrijnë madhështi
              Dhe bëhen burim lavdërimi.”

              Kur gjithçka u tha, shtëpiaku i ri, Sigalaka, iu drejtua Budës me entuziazëm:

              “E mrekullueshme, i dashur zotëri! E mrekullueshme! Është sikur të kesh rregulluar atë që ishte rrëzuar, ose zbuluar atë që ishte fshehur, ose treguar rrugën një të humburi, ose ndriçuar errësirën me një llambë që të shohin ata që kanë sy. Po kështu, Buda ka bërë të qartë Darmën në mënyra të ndryshme. Unë shkoj për strehim te Buda, te Darma dhe te komuniteti monastik. Le të më pranojë i Përndrituri si një ndjekës laik që shkon për strehim që nga ky moment dhe për gjithë jetën time.”